FEJZI GUSHTA - 1942-2004



FEJZI GUSHTA

1942-2004


POETI I KANTJEREVE


Fejzi Gushta u lind në Shkodër në vitin 1942. Anipse i shkolluar vetëm me 8 vjeçare, punëtor nëpër kantjere e hidroçentrale ai gjithnjë është njohur nga shokët e miqtë si poeti punëtor. Njeri i dashur i thjeshtë. Kush nga gazetarët apo shkrimtarët vajti në kantjerin e Vaut të Dejës dhe nuk u kthye në barakën- bujtinë të poetit ku gjëndej një mjedis gazmor dhe artistik. Atje veç të tjerëve gjeje dhe Frederik Rreshpen kur shkoi për të shkruar romanin " Zëri i largët i kasolles" i botuar në vitin 1972. Gjeje aktorin e njohur Prek Lëkunda.

Çdo artist shkodran që shkonte në Vaun e Dejës do të ndalonte patjetër tek poeti i kantjerit siç e quanin miqësisht. Nga ato pak takime që kam patur me të në rininë time, mbaj mend se Fejzi Gushta më jepte përshtypjen se ishte nga ata letrarë që e mbanin shtëpinë poetike me vehte.

Bisedë tjetër me Fejzinë nuk mund të kishe, veç Esenini, Lorka, Eminesku, Petefi, Mjeda, Migjeni dhe guxonte të përmëndete edhe Fishtën. Ruaj një kujtesë një bisedë tek kafe "Rozafa", me nga një kafe e konjak përpara, kur Fejzi Gushta tek ndizte e shuante cigare pa pra, më shpaloste një drame të tërë të cilës nuk harronte ti vinte e dhe titullin "Globi". Nuk e di se çfare është bërë me atë veprim dramatik, a është shkruar ndonjëherë, aq më tepër se i larguar jashtë atdheut, në kontinentin e ri, për dy dekada humba jo veç atdheun por edhe shumë miq të rinisë e shumë kolegë teë artit poetik qe nuk jetojne me. Kam parasysh edhe mikun tim, poetin e ndjerë, Dod Kacaj.

Fejzi Gushta ishte natyre e shkathet, energjik dhe pasionant i jashtëzakonshem. Me të nuk mund të flisje gjë tjetër veç artit dhe poezisë. Me vargje e rima e kaloi jetën dhe ashtu e ruajnë në kujtesë shumë shokë e miq në Shkodër. Vitet e fundit të jetës punonte në një zyrë të ndërmmarrjes gjeologjike në Shkodër. Ka botuar herë pas here në shtypin e kohës. Në të gjallë arriti t'i gëzohej botimin të nje vëllimi poetik.

Po punonte për librin e dytë kur një sëmundje e papritur fatale e detyroi të ndërpresë krijimtarinë. Dorëshkrimin ja la amanet një miku krijues, i cili mesa duket ende nuk e ka arritur ta botojë veprën postmortum të Fejzi Gushtës, i cili ndrroi jetë në vitin 2004.

Emri i tij kaq i njohur ndër miq e shokë artistë shkodranë të duket se shumë shpejt u la në harrim.E panatyrshme kjo në mes të krijuesve, të cilët nëse i harrojnë miqtë e shokët e krijimtarisë që shkuan, po kështu edhe vetë shumë shpejt do të harrohen sepse nuk i kanë lënë vetes vend në këtë botë as në trajtën e kujtimeve. Harrojne këta shpërfillës që u gëzohen ca privilegjeve të kësaj bote jallane, se njeriu e mban njeriun edhe në të gjallë edhe në të vdekur. Pa ata që kemi pas e ardhja do të ishte e cungët si një rrafsh pa kurrnji gjallnesë, shkreti e kurrgjë tjeter. Jemi hallka e një zinxhiri që nuk bën të këputet pa qënë një mallkim.

Mjerisht edhe në faqet e shumta shqiptare të internetit, ku gjenden dhe shtypi shqiptar, nuk përmendej askund poeti i kantjereve. Veç tre shkrimeve tek "Shqiperia etnike" nga të cilët esèja shumë interesante për poetin e pushkatuar nga diktatura Dom Ndre Zadeja me titull "Tre sfidat e Dom Ndre Zadesë", nuk gjetëm as dhe një varg të tij. Por edhe librat me poezi ndodh që kërkohen e kurrkund nëpër librari nuk gjenden, veç në të rastistë ndonjë bukinist në udhën tënde.


Kolec Traboini

2010


PERSERI, MIKUT TIM

FREDERIK RRESHPJA.


E zezë si morg kjo natë dhe Ti

sërish i vrarë buzë një reje....

Tutje, lista e mjergullave

dhe përsëri zogu ogurzi:


"Ku-ku"! Mbi portën e këngëve.

Vetëm Nëna Jezusi rrinë aty!

Nëna duarkryq, e heshtur ,

si perëndeshë e dëshpërimit !


O Zot! Ç’botë e fantaksur !

A thua përsëri, Zeus....

A thua përsëri,

Prometej të lidhur?

1991


KOSOVA


A nuk jam bija yte Evrope,

nje filiz nga trungu yt"pjellore?

e si me shqyve nga dega e fisit ilir ,

me dogje,me shnderrove ne zjarr shekullor!

A thua prap per arsye historike :

Une duhet te jem martire?!

Viktime e syve te Simonides?

A thua prap ,si ne legjendat Ballkanike,

do murosem ne themelet e Graçanices?


1996



PJERGULLAT

Ja erresira e nates plot yje si nje vello
e fosforuar ka ren mbi çati.
Vilezat nen pjergull varen si relike
nga drita e henes te lara ne flori.

Gjithnje i kam dashur pjergullat
siç dua persiani e madh Omar.
Veren qe shpirtrat na i ndez gostirave
dhe buzet e kuqe si margaritar.

1969

VAJZAT NE PLAZH

Tetembedhjet vajza ishin,
te tetembdhjetat ne rer ishin shtrire,
si nje grumbull guackash flakur nga deti
me syte e bukur si rubine.

Tetembedhjete!Tridhjeteegjashte sy
sa germat e alfabetit! Oh,sa leht
mund t"ua lexosh dashurite
dhe tua rrembesh visaret e shpirtit.

1993


ETYD


Nje gote puthjesh
Do te permbysja ne kete mengjes
Po ku t"i marr buzet e Merit ?
Oh, buzet e Merit ?
Buzet e Merit
si trendafil me vese

1970


O DET


O det Do te rrah si Ksersi,o det!
Le te zemrohet Posjedoni!
Betohem per perendite ilire
se do te rrah, se ti na shkretove Arberine
dhe na e mplake kombin!

1994