FEJZI GUSHTA - 1942-2004



FEJZI GUSHTA

1942-2004


POETI I KANTJEREVE


Fejzi Gushta u lind në Shkodër në vitin 1942. Anipse i shkolluar vetëm me 8 vjeçare, punëtor nëpër kantjere e hidroçentrale ai gjithnjë është njohur nga shokët e miqtë si poeti punëtor. Njeri i dashur i thjeshtë. Kush nga gazetarët apo shkrimtarët vajti në kantjerin e Vaut të Dejës dhe nuk u kthye në barakën- bujtinë të poetit ku gjëndej një mjedis gazmor dhe artistik. Atje veç të tjerëve gjeje dhe Frederik Rreshpen kur shkoi për të shkruar romanin " Zëri i largët i kasolles" i botuar në vitin 1972. Gjeje aktorin e njohur Prek Lëkunda.

Çdo artist shkodran që shkonte në Vaun e Dejës do të ndalonte patjetër tek poeti i kantjerit siç e quanin miqësisht. Nga ato pak takime që kam patur me të në rininë time, mbaj mend se Fejzi Gushta më jepte përshtypjen se ishte nga ata letrarë që e mbanin shtëpinë poetike me vehte.

Bisedë tjetër me Fejzinë nuk mund të kishe, veç Esenini, Lorka, Eminesku, Petefi, Mjeda, Migjeni dhe guxonte të përmëndete edhe Fishtën. Ruaj një kujtesë një bisedë tek kafe "Rozafa", me nga një kafe e konjak përpara, kur Fejzi Gushta tek ndizte e shuante cigare pa pra, më shpaloste një drame të tërë të cilës nuk harronte ti vinte e dhe titullin "Globi". Nuk e di se çfare është bërë me atë veprim dramatik, a është shkruar ndonjëherë, aq më tepër se i larguar jashtë atdheut, në kontinentin e ri, për dy dekada humba jo veç atdheun por edhe shumë miq të rinisë e shumë kolegë teë artit poetik qe nuk jetojne me. Kam parasysh edhe mikun tim, poetin e ndjerë, Dod Kacaj.

Fejzi Gushta ishte natyre e shkathet, energjik dhe pasionant i jashtëzakonshem. Me të nuk mund të flisje gjë tjetër veç artit dhe poezisë. Me vargje e rima e kaloi jetën dhe ashtu e ruajnë në kujtesë shumë shokë e miq në Shkodër. Vitet e fundit të jetës punonte në një zyrë të ndërmmarrjes gjeologjike në Shkodër. Ka botuar herë pas here në shtypin e kohës. Në të gjallë arriti t'i gëzohej botimin të nje vëllimi poetik.

Po punonte për librin e dytë kur një sëmundje e papritur fatale e detyroi të ndërpresë krijimtarinë. Dorëshkrimin ja la amanet një miku krijues, i cili mesa duket ende nuk e ka arritur ta botojë veprën postmortum të Fejzi Gushtës, i cili ndrroi jetë në vitin 2004.

Emri i tij kaq i njohur ndër miq e shokë artistë shkodranë të duket se shumë shpejt u la në harrim.E panatyrshme kjo në mes të krijuesve, të cilët nëse i harrojnë miqtë e shokët e krijimtarisë që shkuan, po kështu edhe vetë shumë shpejt do të harrohen sepse nuk i kanë lënë vetes vend në këtë botë as në trajtën e kujtimeve. Harrojne këta shpërfillës që u gëzohen ca privilegjeve të kësaj bote jallane, se njeriu e mban njeriun edhe në të gjallë edhe në të vdekur. Pa ata që kemi pas e ardhja do të ishte e cungët si një rrafsh pa kurrnji gjallnesë, shkreti e kurrgjë tjeter. Jemi hallka e një zinxhiri që nuk bën të këputet pa qënë një mallkim.

Mjerisht edhe në faqet e shumta shqiptare të internetit, ku gjenden dhe shtypi shqiptar, nuk përmendej askund poeti i kantjereve. Veç tre shkrimeve tek "Shqiperia etnike" nga të cilët esèja shumë interesante për poetin e pushkatuar nga diktatura Dom Ndre Zadeja me titull "Tre sfidat e Dom Ndre Zadesë", nuk gjetëm as dhe një varg të tij. Por edhe librat me poezi ndodh që kërkohen e kurrkund nëpër librari nuk gjenden, veç në të rastistë ndonjë bukinist në udhën tënde.


Kolec Traboini

2010


PERSERI, MIKUT TIM

FREDERIK RRESHPJA.


E zezë si morg kjo natë dhe Ti

sërish i vrarë buzë një reje....

Tutje, lista e mjergullave

dhe përsëri zogu ogurzi:


"Ku-ku"! Mbi portën e këngëve.

Vetëm Nëna Jezusi rrinë aty!

Nëna duarkryq, e heshtur ,

si perëndeshë e dëshpërimit !


O Zot! Ç’botë e fantaksur !

A thua përsëri, Zeus....

A thua përsëri,

Prometej të lidhur?

1991


KOSOVA


A nuk jam bija yte Evrope,

nje filiz nga trungu yt"pjellore?

e si me shqyve nga dega e fisit ilir ,

me dogje,me shnderrove ne zjarr shekullor!

A thua prap per arsye historike :

Une duhet te jem martire?!

Viktime e syve te Simonides?

A thua prap ,si ne legjendat Ballkanike,

do murosem ne themelet e Graçanices?


1996



PJERGULLAT

Ja erresira e nates plot yje si nje vello
e fosforuar ka ren mbi çati.
Vilezat nen pjergull varen si relike
nga drita e henes te lara ne flori.

Gjithnje i kam dashur pjergullat
siç dua persiani e madh Omar.
Veren qe shpirtrat na i ndez gostirave
dhe buzet e kuqe si margaritar.

1969

VAJZAT NE PLAZH

Tetembedhjet vajza ishin,
te tetembdhjetat ne rer ishin shtrire,
si nje grumbull guackash flakur nga deti
me syte e bukur si rubine.

Tetembedhjete!Tridhjeteegjashte sy
sa germat e alfabetit! Oh,sa leht
mund t"ua lexosh dashurite
dhe tua rrembesh visaret e shpirtit.

1993


ETYD


Nje gote puthjesh
Do te permbysja ne kete mengjes
Po ku t"i marr buzet e Merit ?
Oh, buzet e Merit ?
Buzet e Merit
si trendafil me vese

1970


O DET


O det Do te rrah si Ksersi,o det!
Le te zemrohet Posjedoni!
Betohem per perendite ilire
se do te rrah, se ti na shkretove Arberine
dhe na e mplake kombin!

1994

Tre sfidat e Dom Ndre Zadesë - nga Fejzi Gushta


Tre sfidat e Dom Ndre Zadesë

- Me rastin e 100 vjetorit të lindjes, dhe 60 vjetorit të botimit të poemës “Letër e hapur” drejtuar At’ Fulvio Kordinianos. (1941). -



Nga FEJZI GUSHTA


Sfida e parë, 1920

Në vitin 1920, pikërisht atëhere kur Vlora ishte e pushtuar nga Italija, në sallonin e shfaqjeve të kolegjit Saverjan, luhej një nga melodramat më të bukura të Dom Ndre Zadejs: “Ora e Shqipërisë”; përveç popullit artdashës shkodran, aty ishin të pranishëm Klerikë, Ushtarakë Italian, Francez, Konsuj, Seminaristë, etj. Shfaqia kishte filluar, në momentin kur (djalogohej) për bashkimin e tokave Shqipëtare, engjulli i vijosës i drejtohet (Adrijes) me këto vargje: “Adrijes m’thuaj krenare, Vlona asht tokë Shqiptare”... Spektatorët shpërthyen në duartrokitje të stuhishme, dhe duke brohoritur u ngritën në këmbë e thirrën sa mundën: “Rroft Vlona Shqipëtare!”, “Rroft Vlona jonë!”... Atëher konsulli Italian Perrikone e gjenerali Frankovila, u ngritën në këmbë në shej proteste, për të dalë nga shfaqja, por konsulli Francez, Baron de Grand dhe gjenerali Bardi de Fortu në prani të rektorit Jezuit, i qetësoi më fjalët: “Kur në LA Skala të Milanos luhej opera “I Lombardi” populli Italian, në prani të pushtuesve austriak brohoriti “Viva Verdi”, asnjë nuk u ngrit të dilte jashtë, madje duartrokitën”. (K.Ç.)

Kjo ishte sfida e parë, sfida ma dramatike që patrioti e kleriku Dom N. Zadeja i bëri pushtuesve Italian. E pabesueshme për ata që i besuan dhe mbështetën diktatorin Hoxha, kur akuzonte Dom Ndre Zadejën: “Agjent i OVRA - s dhe të gestapos, Dom Ndre Zadeja e të tjerë do të mbeten figurat tipike të klerikëve që shitën atdheun...” Ngjarje me të tilla dimensione, si në sallonin e shfaqjeve të kolegjit Saverian mund të përjetohen vetëm në theatrot e metropoleve të mëdha Europiane. E tillë ishte Shkodra, Athina e Shqipërisë! I tillë ishte Dom Ndre Zadeja, në radhë të parë njeri dhe klerik, patriot dhe orator, polemist e sfidant i shquar, dramaturg, autor i gjashtë melodramave, poet lirik, poliglot e filozof i dimensioneve Europiane. Njeri zemër gjerë e fisnik, aq sa mund të falë çdo armik personal, por armiqtë e Shqipërisë Kurr.

Një besimtar nga fshati Sheldi (Shkodër) kujton: “Meshën e datës 8 prillë 1939 Dom Ndreu e filloi me këto fjalë: - E shoh që jeni të pikëlluem, sot asht ditë zijet për ne Shqiptarët. Italia fashiste e pushtoi atdheun tonë, Shqipnin! (Heshtje, tamam si në një kortezh të përmortshëm) pritëm se ç’ka don me thanë tjetër. Asgja, por ma vonë e kuptuam se na tha shumë. Ndigjuam frymarrjen e tij, ishte një frymarrje e dridhëshme, e thellë e dëshpëruese deri në dhimbje. Kur e çojë kryet, besimtarët vunë re dy pika lodi që rrëshqitën në faqet e lëmutë të meshtarit që tërë jetën i qe përkushtuar Atdheut e fesë. At’ditë si gjithmonë, mesha vazhdoj në paqë duk ju lutur Zotit tonë që ta shpëtoi Shqipërin. Edhe kjo e pabesueshme për ato që i besuan dhe mbështetën diktatorin Hoxha, kur e akuzonte Dom Ndre Zadejën: “Agjent i OVRA - s dhe të gestapos, Dom Ndre Zadeja do të mbetej figura tipike e klerikëve që shitën atdheun.” Një goditje tjetër të rëndë, Dom Ndreu e psoj nga kolegu i tij Italian At’Fulvio Kordiniano (S. J.) në vitin 1941. Po kush ishte Kordiniano? Një prift Italian, misionar që për shumë vite me radhë jetoj e punoj në malësitë e mbi Shkodrës, ku kreu disa studime të ndryshme siç është: “Shqipëria përmes veprave dhe shkrimeve të një misionari të madh Italian At’ Domeniko Pasi”, “Epopeja e popullit Shqiptar” ku trajtohen problemet e letërsisë shqipe etj... Ai hartoi dy fjalor, Italisht - Shqip që u botu në Milano, dhe Shqip - Italisht që u botu në Shkodër. At’ Fulvio Kordiniano (S. J.) gëzonte një respekt dhe reputacion të veçantë nga malësorët dhe intelektualët Shkodran. Ai hynte kullë më kullë, si bari e si pajtimtar. Kuvend më Kuvend. Malësorët e ndoqën pas nëpër shpella, e ndihmuan me çermu nëpër varre të lashta, siç ishin ato të Komanit e i mushën thasët me rrashta brahycefale e të parëve të tyre gjysëm mitologjik. Ata e quajtën gjithmonë padër Milani, thonë se ishte Milanez. Ai ishte gëzu së tepërmi këti pagzimi, duke e konsideru atë si një provë miqësije e intimiteti familjar. At’ Fulvio Kordiniano nuk priti gjatë, me t’u kthyet në Itali dërgoj për botim “Hatan”: “L’Albania nella storia e nella vita ossia visione panoramica di un piccolo mondo primitivo” - (Revista “d’Albania” 1941). Që në titull kuptohet se Kordiniano është sa tendencioz aq edhe agresiv, natyrisht se për ta ilustruar pabesinë e këti pseodoshkenctari që vuan nga një debulesë sllavofile, unë po rreshtoj në mënyrën më konçize të nxjerrura nga ajo minierë katrani që na servirë ky bukshkelës. Ja - ...Shqipëria më rezulton si një ekspresion i thjesht gjeografik.” “...Por po e tham çiltaz se për mua çështja e identitetit Shqiptarë të soçëm asht thjeshtë një mit.”. “...Një pjesë e mirë e popullsisë (Shqipëria e mesme) nuk është abrigjene, por të emigruar gjatë pushtimit turk, ardhë prtej kufijshë”; “...Shqipëtari e ka ndie vein Shqipëtar, jo si trajtim politik, por si aglomerat etnik nën të gjitha qeverit. Arkeologjia nuk na ka dhanë deri tash kurgja me precizion që të jetë karakteristikë dhe e veçant e popullit Shqipëtarë.”...

“Skënderbeu ka qenë zmadhuar prej legjendave e nuk kje lartësu kurr në rrangun e një Monarku Shqipëtar, por qe i kanduar me atë të kapitenit të përgjithshëm të forcave ushtarake Shqipëtare, Lumnija e tijë ashtë një lumni katholike, mbasi si kërkush nuk ka pasë në at’ kohë iden e një atdheut Shqipëtar”. Kordiniano disa herë është kontradiktorë, në veçanti kur harron me sha, pa dashtë nxjerr në pah të vërtetat që e bëjnë këtë popull me jetu. E në veçanti kur flet për gjuhën: “...e duhet me thanë se gjuha ashtë për t’u mbajtë si rrelikja e shejza ma e spikatun e ma e çmueshmja e këti populli, shpirti i gjihë atij grupi traditash, zakonesh e veçurishë etnike të dallume ma së miri prej natyrë, prej jetese, prej (domus patria) qi ka dhanë shkas për së forti e gati krejt vetëm me mujt këtë popull tejet të qëndrueshëm mbrenda rrethit të vet, tue ba ballë e tue i mujtë të gjithë fuqitë përpise e rrafshuese,!... At’ Fulvio Kordiniano (S. J.) siç shihet në pohimet e veta u vjenë në ndihmë Studiuesve Serbë të cilët i konsiderojnë Shqipëtarët e Kosovës si të ardhur në (trojet e veta) kur dihet se ato janë autoktonë shumë më parë se ato që ardhën nga Karpatet e zunë vend në trojet Ilire të ç’populluara, e pastaj me anë të pushtimeve do të shqynin kufijt në këto përmasa që ekzistojnë sot. Kordiniano hulumton e shkruan jo për të nxjerrë në dritë historinë e vërtetë, apo autoktoninë e vazhdimësinë e shqiptarëve nga Ilirët, por me qëllim synon me e plandosë Shqipëtarët në tragjedi të vazhdueshme e luftë për identitet. Fakti që ai zgjodhi kohën më të papërshtatshme për botim (nga që ishim të pushtuar nga Italija fashiste) tregon edhe një herë se ishte tendencioz dhe armiqësor. Botimi i këtij artikulli në revistën “d’Albania” goditi rëndë klerin katolik, intelektualët, profesorët e liceut shtetërorë, studentët, dhe mbarë qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë.

Të gjithë u ngritën në protestë kundër këtij shkrimi zhgarravinë që kishte hedhur baltë mbi identitetin Shqipëtarë dhe vazhdimësinë e tyre nga Ilirët. Profesorët e liceut i dhanë një përgjigje dinjitoze, po kështu kleriku me pseudonimin Nik Bercolla, dhe së fundi goditja vdekjeprurëse e Dom Ndre Zadejës, do të ishte Letra e Hapur. E gjithë kjo urrejtje e akumuluar kundër pushtimit fashist i cili duke u ambalazhuar me letrat e Kordinianos do bëhej shkak ashtu si në 1920, të vinte në provë patriotizmin e Zadejës, atdhedashurinë të cilit ia kishte ushqyer familja, më parë se të shkonte për studime në Insbruk të Austrisë. Ai nuk pranoi të bënte kompromis për hir të asaj se Kordiniano ishte prift. “Nuk mund ta pranonte këtë të shame, se na shqiptarët qenkemi pa rodë e soj, që don me thanë rracë e sterkeqe ariane. Ai do ta mbronte atdheun qoft edhe me jetën e tijë. Edhe kjo e pabesueshme për ata që i besuan dhe mbështetën ditatorin Hoxha, kur e akuzonte dom Ndre Zadejën: “Agjent i OVRA - s dhe të gestapos, dom Ndre Zadeja e të tjerë do të mbeten figura tipike e klerikëve që shitën atdheun.”


Sfida e dytë 1941

Letër e hapur drejtuar At’ Fulvio Kordiniano - s. Është një poemë me 291 vargje të cilën do ia paraqesim lexuesit në numrat e ardhshëm. Kjo pra është sfida e dytë e Zadejës. Një sfidë artistike, që vetëm talenti i këtij shpirti të trazuar, mund ta realizonte në këto përmasa grandioze. Ai i dha çdo gjë kësaj poeme, e cila do t’i transmetonte brezave ide dhe mesazhe thellësisht filozofike, historike dhe shkencore, nga më befasueset në historinë e letrave shqipe, dhe jo rastësisht kjo poemë do të vijë lezuesit shqiptar në kuadrin e njiqind vjetorit të lindjes, dhe në gjashtëdhjetë vjetorin e kësaj poeme të shkruar nga Dom Ndre Zadeja.


Sfida e tretë 1945

ishte mëngjezi i 25 marsit 1945.Shkodra ende nuk ishte zgjuar. Një heshtje e madhërishme, por e një zbrazëtirë e trishtuar mbretëronte në fushë - çelë. E para që zgjohej në këtë qytet ishte kamjonçina e burgut, ajo kishte ditë që zgjohej herët, dhe çante me ulurimë rrugët nga burgu deri tek varrezat katolike, ma kjartë deri tek muri i pushkatimit. Po atë mëngjez kamjonçina po transportonte të burgosur të tjerë që ligji i ri komunist i kishte dënu me vdekje, si armiq të popullit, e në emën të popullit pushkatoheshin! Në mes tyre ishin, Dom Ndre Zadeja, kreshniku i maleve Prek Cali, si dhe një i ri akademist që nuk kishte pranu me ba betimin fashist në sheshin e Romës, quhej Luigj Gjeto Kastrati. Kur kamionçina kaloi para shtëpisë së tij Luigji thirri me forcë.

- Lamtumirë nanë!...Dikush qau... dom Ndreu e ngushlloj duke i hedhur dorën në qafë, ndërsa Luigjit nuk ia ndau sytë deri temuri i pushkatimit... I kishin rreshtuar, skuadra e pushkatimit ndodhej përballë tyre. I pyetën një nga një se cila ishte fjala e fundit e tyre, erdhi radha që të pytej Dom Ndreu,

- Fol ti armik i popullit Shqipëtar...

- O Zot! E çka duhet të baj ma shumë për të qenë Shqiptarë?!; Meqë Shqipnisë ju dashka edhe jeta ime, merreni!...

Nuk vonoj shumë dhe u dha komanda Zjarr!

- Rroft Shqipnia, Rroft Krishti Mbret! - thirri Dom Ndreu.

Një batare pushkësh u zbraz mbi gjokset e martirëve të lirisë. Kaq, dhe Dom Ndreu nuk ishte ma. Ai u nda nga ne, kjo ndarje do të ishte e përkohëshme, ja ai do vinte në mes nesh në Njiqind vjetorin e lindjes së tij, duke i sfiduar ata për të tretën herë, dhe nga kjo sfidë ata që e mohuan dhe i thanë armik e tradhëtarë, nuk do mund të ngrihen ma. Edhe kjo e pabesueshme për ato që i besuan dhe mbështetën diktatorin Hoxha, kur e akuzonte Dom Ndre Zadejën: “Agjent i OVRA - s dhe të gestapos, Dom Ndre Zadeja e të tjerë do të mbeten figura tipike e klerikëve që shitën atdheun.”

- O Zot! E çka duhet të baj më shumë për të qenë shqipëtar?!...

Shqipëria etnike Nr.9
http://www.shqiperia-etnike.com/she09/she09shqip.html

"Shqiperia etnike" shkrime nga Fejzi Gushta


Pse ka frikë nga jeta bukuroshja?

FEJZI GUSHTA

Ka kohë që Shkodra më ngjet me një bukuroshe të fjetur, që ka frikë të zgjohet në këtë realitet të shëmtuar!... Dhe unë kam kaq kohë që rri pranë saj i heshtur dhe i kërrusur si statuja e “Mendimtarit” duke kafshuar grushtin, nga që nuk dua të godas në portën e saj prej tunxhi, dhe kam besuar se ndofta është më mirë të flejë se sa të zgjohet e llahtarisur. Ju e kuptoni këtu nuk është fjala për një gjumë Letargjik, por për një amulli shoqërore që ka ardhur si rezultat i zhgënjimeve të mëdha. Këtu është fjala për ditë rutinë, për muajt, për një dekadë që kaloi pa asnjë eveniment të rëndësishëm në drejtim të progresit.Shkodra e pagoi shtrenjtë Prometeizmin e saj. Shkodra ishte vërtetë një “Qytet Promethe” që i fali popullit shqiptar zjarrin e lirisë!Ishte i vetmi qytet me dimensione dhe ngjarje Homerike. Ishin banorët e saj që guxuan të parët të thyenin prangat, të rrëzonin statujat e “Perëndive” dhe simbolet e tyre. Natyrisht dikush do të sakrifikohej, në Pantheonin e Perëndive të kuq, nuk kishte qetësi, Prometheu duhet të dënohet! Dhe popullit të tij të të dënohet me një mijë e një të zezat, dhe hakmarrja të mos ketë kufi. Dhe ndodhi vërtetë, ashtu siç i kishte ndodhur Prometeut dhe për këtë ka një Legjendë: Zeusi me një herë urdhëroi Hefestin që të krijonte një grua e cila me bukurinë e saj të çonte mjerimin në tokë ku jetonin njerëzit e Prometeut. Pasi u krijua kjo grua e bukur: Atena i fali mençurinë, Hermesi i fali gojtarinë, Apolloni i dhuroi talentin për muzikë.

Nga të gjitha këto dhunti u formua dhe emri i saj: Pandora. Hermesi e dërgoi si dhuratë tek Epimeteu, (vëllau i prometeut) ai me gjithë porositë e të vëllait që të mos pranonte asnjë dhuratë nga Zeusi, u thye nga magjia e bukurisë të kësaj gruaje, dhe u martua me të ndërsa Prometheu vuante dënimin atje në Skythi, në malet e Kaukazit. Në shtëpinë e Epimeteut, ishte një arkë e mbyllur, të cilën ajo, për asnjë arsye nuk duhet ta hapte. Por pandora u bë shumë kurioze dhe e hapi, përnjëherësh nga kjo arkë dolën të gjitha të këqijat e mjerimet, sëmundjet, uria, luftrat, me të gjitha pasojat katastrofike dhe pushtuan njerzimin në të gjithë botën. I tmerruar nga kjo, Epimeteu e mbylli kutinë, por ishte tepër vonë. Në kuti kishte mbetur vetëm shpresa!

Kështu e pësoi dhe Shkodra ky “Qytet Promethe” por le të shpresojmë dhe të mos gënjehemi nga premtimet, që na servirin si gra të bukura, marramendëse, gra që kërkojnë të na venë në gjumë duke na treguar përrallën e “Lugës së florinjtë” nëpër sheshet dhe podiumet e fushatës elektorale. Tani erdhi koha të zgjohesh bukuroshja ime e fjetur. Dhe jam i sigurtë se do të dijsh të zbresësh shkallët e tragjedisë duke flakur nga supet tonikën e përgjakur të Eskilit!

Shqipëria etnike, nr.1 5 qershor 2001

Rajonin e destabilizon ekstremiteti Islam

Nga FEJZI GUSHTA

- 1 -

Vetëm disa ditë para ekstradimit të Millosheviçit në Hagë Presidenti Rus V. Putin bëri një vizitë në Beograd. Nuk dihet nëse kjo vizitë e programuar të kishte lidhje me këtë fakt. Por ajo që na befasoi ishte vizita e tij e papritur në Prishtinë. Z. Putin me të zbritur në aeroport i kërcënoi shqiptarët duke thënë se: “Stabiliteti i rajonit është i kërcënuar nga një rrezik serioz si ai i ekstremit kombëtar fetar si dhe nga intoleranca që e ka burimin në Kosovë.” Por ajo që tërhoqi vëmendjen e masmediave elektronike e të shkruara në Europë dhe më gjerë, ishte propozimi i tij, - për një konferencë rajonale me një suport ndërkombëtar (pa Shqiptarët), qëllmi i së cilës do të ishte sanksionimi i paprekshmërisë së kufijve dhe të integritetit territorial të Jugosllavisë. Dihet se kush do të jetë në këtë konferencë rajonale Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria, Greqia etj... Pikërisht këto që me 1913, gjithmonë të mbështetur nga Cari dhe patriarkana Ruse gllabëruan territore të tëra që akoma mbahen padrejtësisht nga këto vende, dhe tani frika që Kosova mund të shkëputet, e nga që nuk duan ta besojnë këtë realitet, duan ta rigllabërojnë, e ta ligjërojnë si të tyren përfundimisht. Një propozim i tillë i z. Putin jo vetëm që përkëdhel por edhe inkurajon revanshistët e Beogradit, të cilët nëpërmjet Koshtunicës i deklaruan edhe një herë strukturave politike Europiane se: “Kosova duhet të mbetet nën sovranitetin e Jugosllavisë.” Z. Putin me qëllim që të parandalonte proçeset demokratike në Kosovë deklaroi: “... Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë janë të parakohëshme.” Mendoj se këto deklarata, Këshilli i përkohshëm administrativ në Prishtinë duhet t’i marrin me rezervë, pastaj gjërat kanë llogjikën e tyre.

1 - Si mund të mbahet një konferencë rajonale, ku të vendoset për fatin e Kosovës, pa pjesmarrjen e përfaqësuesve legjitim të kësaj krahine?!... Dihet se këto përfaqësues dalin vetëm nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, pasi vetëm kështu kanë mandatin për të përfaqësuar krahinën e tyre.

2 - Ajo konferencë nuk mund të jetë ekskluzivitet i vendeve të rajonit, pjesmarrja ndërkombëtare duhet të jetë më e gjerë sepse dihet se në Kosovë janë disllokuar trupat, dhe strukturat politike ndërkombëtare që kontribuan në zgjidhjen e krizës.

3 - Praktikat e zgjedhjeve të problemeve të këtij lloji në Ballkan, kanë traditën e tyre politike, me përjashtim se logjika e zgjedhjeve ka evoluar në drejtim të demokratizimit dhe e të drejtës për vetvendosje. Tani edhe në të kaluarën këto probleme nuk janë zgjedhë kurrë nga vendet e rajonit.

- 2 -

Prognozat dhe parashikimet sinoptike mbi klimën e mbrendshme politike të Kosovës janë tepër të luhatshme dhe pak a shumë në mvartësi të konjukturave politike në rajon, që herë - herë janë të dëmshme e denigruese, por edhe të favorshme dhe vendimtare në arritjen e qëllimit për të cilin kanë punuar. Dihet se pas dorëzimit të Millosheviçit në tribunalin e Hagës, si rezultat i kontradiktave në mes Koshtunicës dhe Kryeministrit Xhinxhiç, ky i fundit dha dorëheqjen, duke shkaktuar një krizë qeveritare. Por me sa duket nuk ishte serioze. Xhinxhiç së shpejti do bëjë një vizitë në Kosovë. Në Republikën e Malit të Zi filluan përgatitjet për një referendum që synon shkëputjen nga Serbia. Në Shkup po punohet për ndryshime kushtetuese në favor të shqiptarëve. Por gjithsesi faktori përfundimtar për ardhmërinë e Kosovës, janë strukturat Euro - Atlantike të vendosura aty dhe në rajon, dhe mbi të gjitha këto, janë zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, dhe ky fakt do të jetë testimi më i mirë i një populli i cili pasi pësoi tërë ato krime monstruoze nga milicia dhe paramilitarët serbë, aspiron për pamvartësi, dhe do të kundërshtojë çdo përpjekje për të imponuar një bashkjetesë me serbët, tashma të armiqësuar për vdekje!

- 3 -

Në rrugën e Kosovës drejt pamvartësisë dhe statusit të saj përfundimtar ka shumë vështirësi: Flitet se në zgjedhjet e nëndorit do votojnë edhe serbët e disa eklavave në veri të Kosovës. U fol për rindarje të saj, për ngritjen e një muri në Mitrovicë në mes dy etniteteve, Shqiptar dhe atë Serb. Rasti solli që ato të ngrinin akuza nga ma të ndryshmet kundër U.Ç.K. si për veprimet luftarake të saja në Luginën e Preshevës, dhe në fund për ngjarjet në Maqedoni. Edhe këtu u fol për këmbim territoresh, nga akademikët e Shkupit. “O Tempera, o Mores!” dhe asnjëherë nuk pati një ndërgjegjësim politik dhe kombëtar mbi krimet dhe dhunën e përgjakshme që ushtruan serbët mbi popullsinë e pambrojtur të Kosovës. Ato gjithnjë kërkojnë të çvasin dhe të terrizojnë. Por kohët kanë ndryshuar. Por edhe ekspansioni i tyre gjithnjë bëhet më kërcënues. Tani nuk flitet për ndarjen e Mitrovicës, por shtrohet me shumë urgjencë bashkimi i territorit në një të vetëm, dhe në të dy anët e Ibrit. Gjithashtu ideja se në zgjedhjet e nëndorit do merrnin pjesë vetëm disa enklava, tani shoqërohet me kthimin e 170 000 serbëve të inkriminuar. Të cilëve nuk u lejohet të shesin pronat e tyre shqiptarëve. Jam i bindur se ky rikthim nuk do të realizohet nga revanshizmi Serb. Por edhe në caqet e një kërkese jo vetëm që do ishte irracionale e absurde, por mbi të gjitha e pamoralshme. Përpjekjet për një rikthim janë të qëllimta, intriguese dhe tendencioze, për të nxitur incidente të reja, në mënyrë që të përligjet me çdo kusht ideja se të gjitha të këqijat dhe prirjet për destabilizimin e rajonit vijnë nga shqiptarët e Kosovës. Ky është morali Serb. Ata kërkojnë të rikthehen në një kohë kur edhe pas dy vjetësh, (në mungesë të territoreve për varrime në fushë - Kosovë) u zbuluan varre të përbashkëta edhe në periferi të Beogradit. Burra, gra dhe fëmijë, të masakruar nga milicia dhe paramilitarët serb. Ato flasin për procese demokratike, dhe mbajnë në burgje dhe kampe me qindra të burgosur shqiptar të dënuar si kundërshtarë politik. Ato që nxisin këtë rikthim të trupshëm e skandaloz, janë projektuesit e masakrave në Kosovë të vitit 1999. Janë ata që pas ekstradimit të Millosheviçit në gjyqin ndërkombëtar të Hagës, dolën nëpër rrugët dhe sheshet e Beogradit duke protestuar kundër vendimit “arbitrar” të Kryeministrit Xhinxhiç. Dhe nuk ka dyshim se ato janë mbeturinat e fantaksura të Arkanit dhe të Sheshell - it. Janë llumi i një kombi që nuk i bashkon asgjë me qytetërimin Europian. Pas asaj disfate, këto janë përpjekjet më të dëshpruara dhe mjerane të atyre që ruajnë akoma idetë dhe pasionet e vjetra historiko - ortodoksale se: “Kosova është zemra e Serbisë!” Ata , nëse vazhdojnë t’i qëndrojnë besnik të këtyre ideve fikse, nuk bëjnë tjetër vetëm se denoncojnë vehten përpara botës, duke treguar se trembëdhjetë shekujt e vendosjes së tyre në territoret e lashta të Ilirisë, nuk ishin të mjaftueshme për t’ju përshtatur mentalitetit dhe civilizimit Europian. Dhe kjo e vërtetë do të eksplodojë nga analet e historisë duke denoncuar qëndrimet e tyre të shpifura me një histori të fallsifikuar mbi Kosovën.

Kosova gjatë tërë historisë ka qenë dhe mbetet Sopranoja e parë në Operën e Çështjes Kombëtare. Ajo është zemra dhe shpirti historik i Kombit Shqiptar.

"Shqipëria etnike" nr.5

http://www.shqiperia-etnike.com/she05/she05shqip.html

Në një kujtim për Prek Lekunden- nga Bep Shiroka


“Tani dua te kujtoj edhe dicka te dhimbshme, vazhdoi me tej biseden Bepi. Shfaqjen e fundit e kam dhene me Prengen ne Hidrocentralin e Vaut te Dejesit. Ishte drama “Fisheku ne paje” i shkrimtarit Fadil Kraja. Une dhe Prenga dolem te fundit nga skena. Bente ftohte. Po zhvishesha, kur me thote: “Bep, nuk jam mire! Te lutem bej perpjekje me e ndale autobusin. Sa te vij dhe une”. (Te tjeret kishin kaluar).
Ashtu sic vrapova, ashtu edhe u ktheva. I them: “Preng, autobusi ka ikur. Po interesohem se mos te gjej ndonje makine rasti”. “Me thote: “Bep, mos u shqeteso! Nuk mund te vij. Sonte jam pa qejf. Gjendja sikur me eshte renduar. Po fle te nje shoku im ketu, te poeti Fejzi Gushta. Kam shprese se kjo gjendje do te me kaloje shpejt”.
Ashtu e lame. Une shkova me nje makine rasti qe gjeta papritur, pa e ditur dhe as qe me shkonte ne mend, se ky do te ishte takimi i fundit.
Te nesermen dola ne teater. Rruges pashe se po hiqej reklama e shfaqjes qe do te jepej ne mbremje ne qytet. Pyes punetorin: “Pse po e heq?!” Ai m’u pergjigj: “Po e heq se Preng Lekunda eshte semure rende. E kane sjelle urgjentisht nga Vaudejesi”.
U shqetesova. Sapo mberritem ne teater, ra zilja e telefonit. Zeri me lajmeronte tere dhimbje e trishtim: “Preng Lekunda vdiq!” U trondita. Dhe menjehere mendova se, vdiq shume heret. Vdiq heret, se do te bente pune edhe me te bukura ne teater.

Fragment nga shkrimi i Xhahid Bushatit
4 maj 2010